[index]
1 Corinthiens 13
1 Po të flisja gjuhët e njerëzve dhe të engjëjve, dhe
të mos kisha dashuri, do të bëhesha si një bronz që kumbon
ose si cimbali që tingëllon.
2 Edhe sikur të kisha dhuntinë e profecisë, edhe të dija të
gjitha misteret dhe mbarë shkencën dhe të kisha gjithë besimin
sa të luaja nga vendi malet, por të mos kisha dashuri, nuk jam asgjë.
3 Edhe sikur të ndaja gjithë pasuritë e mia për të ushqyer
të varfërit dhe ta jepja trupin tim që të digjej, e të
mos kisha dashuri, nuk do të më vlente asgjë!
4 Dashuria është e durueshme; plot mirësi; dashuria nuk ka smirë,
nuk vë në dukje, nuk krekoset,
5 nuk sillet në mënyrë të pahijshme, nuk kërkon të
sajat, nuk pezmatohet, nuk dyshon për keq;
6 nuk gëzohet për padrejtësinë, por gëzohet me të
vërtetën,
7 i duron të gjitha, i beson të gjitha, i shpreson të gjitha, i
mban çdo gjë.
8 Dashuria nuk ligshtohet kurrë; por profecitë shfuqizohen, gjuhët
pushojnë dhe njohuria do të shfuqizohet,
9 sepse ne njohim pjesërisht dhe profetizojmë pjesërisht.
10 Por, kur të vijë përsosmëria, atëherë ajo që
është e pjesshme do të shfuqizohet.
11 Kur isha fëmijë, flisja si fëmijë, mendoja si fëmijë,
arsyetoja si fëmijë; kur u bëra burrë, i flaka gjërat
fëminore.
12 Tani në fakt, ne shohim si në pasqyrë, në mënyrë
të errët, por atëherë do të shohim faqe për faqe;
tashti njoh pjesërisht, kurse atëherë do të njoh thellë
ashtu sikurse njihem.
13 Tani, pra, këto tri gjëra mbeten: besimi, shpresa dhe dashuria; por
më e madhja nga këto është dashuria.
[index]